Ky delegacion do të vëzhgojë në mënyrë të pavarur procesin krahas vëzhguesve të tjerë të OSBE-ODIHR. Delegacioni do të takojë kreun e KQZ-së si dhe përfaqësues të partive politike që garojnë në zgjedhje, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias para vëzhgimit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Më parë një delegacion i këtij organizmi vizitoi Tiranën nga 4-5 qershori i këtij viti ku gjatë takimit me autoritete në Tiranë theksuan rëndësinë e një procesi zgjedhor që të përmbushë standardet. Këshilli i Europës ka theksuar rëndësinë që cdo shtetas të pajiset me kartë identiteti, në mënyrë që askujt të mos i mohoet e drejta e votës më 28 qershor. Duke vlerësuar se këto zgjedhje janë test i fortë për maturinë e demokracisë në Shqipëri vëzhguesit e Këshillit të Europës i kanë bërë thirrje autoriteteve të plotësojnë të gjitha rekomandimet e nevojshme që ka dhënë Asambleja Parlamentare e këtij organizmi. Konkluzionet paraprake të këtij organizmi për zgjedhjet pritet të bëhen publike në 29 qershor, në një konferencë të posacme për shtyp.