Sarandë – Berisha, ne ju garantojmë të ardhme europiane

Berisha u shpreh se “Ne ju garantojmë se 4 vitet që vijnë, do të jenë vitet e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve. Me rritjen e të cilave ne do të parakalojmë qytetarët e 6 vendeve anëtarë të Bashkimit Europian, të cilat kanë qenë vetëm pak vite më parë dhjetra vite para nesh”. “Saranda sërish në 4 vitet që vijnë do të jetë në krye të përparësive të qeverisë time. Qeveria ju garanton se do të financojë të gjitha projektet, për përpunimin e ujërave të zeza, furnizimin 24 orë me ujë të Sarandës, për qeverisjen e portit, për mbarimin e saj, për aeroportin që ka mbaruar tërësisht projekti. Por unë jam këtu për tu zotuar para fermerëve të Sarandës së qeveria ime do t’i mbështesë ata në të gjitha projektet të nxitur prodhimin e tyre. Do të financojë çdo rrënjë ulliri, çdo rrënjë agrume, për të gjitha sipërfaqet e mbjella inputet dhe akcizën e naftës”, u shpreh kryeministri Berisha. Berisha ka kërkuar votën e sarandjotëve për Partinë Demokratike, pasi kështu sipas tij garantohet e ardhmja europiane për vendin. “Një thirrje vëllazërore për të gjithë ju, në 28 qershor të bashkohemi sëbashku në projektin europian të Sarandës dhe më gjerë. Thirrja ime është pa dallim, për të gjithë qytetarët e Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë. Ndaj dhe unë ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë para se të vendosin, le të mendojnë se kush e realizon me më siguri dhe më shpejtë këtë projekt. Të votojnë pikërisht mbi këtë bazë. Në ju garantojmë atyre se vota për projektin tonë europian është vota më e sigurt për veten dhe për të ardhmen. Në 28 qershor votoni 10-ën. 10-a është e të gjithëve, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa blu, 10-a është Partia Demokratike”, theksoi Berisha.

Advertisement