Tiranë – Partia Socialiste i thotë jo tryezës me LSI

Në pritje të takimit që është përcaktuar të zhvillohet sot në mesditë, kandidati për deputet i PS-së, Sajmir Tahiri bëri publike qëndrimin zyrtar të socialistëve. Sipas Tahirit e vetmja mënyrë për të larguar Sali Berishën nga karrigia e kryeministrit është vota për numrin 33, që përkon me emrin e Partisë Socialsite në fletën e votimit të 28 qershorit. Ai i bëri thirrje kryetarit të LSI-së që t’i bashkohet apelit të qytetarëve për të votuar PS-në, si e vetmja forcë politike që do t’i japë fund politikës së vjetër. “Duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë, se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste. Ne e ftojmë Ilir Metën të japë kontributin e tij konkret në këtë drejtim, duke iu bashkuar apelit tonë që në 28 qershor të gjithë duhet të votojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33, sepse vetëm duke votuar për Partine Socialiste të Shqipërisë garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës”, tha Tahiri në prononcimin e tij për shtyp. Kreu i LSI-së, Ilir Meta ftoi në një tryezë të përbashkët për bashkimin e së majtës për fitoren e zgjedhjeve, Ramën e Nanon si dhe figura të vjetra të PS-së dhe aleatët Gjinushi, Milo dhe Koçi. Ftesa kishte qëllim sipas Metës vendosjen e një fryme sa më të gjerë bashkëpunimi midis të gjitha partive të majta dhe progresiste.

Advertisement