Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi të mërkurën dy nga tre kërkesat për referendum vendor të kërkuara nga Partia Demokratike, atë që lidhet me parkimin nëntokësor tek Parku Rinia, si dhe ndërtimin e kompleksit të lojrave mbi sipërfaqe betoni në zemër të parkut të Liqenit Artificial.
KQZ i vlerësoi antikushtetuese kërkesat pasi referendumi, sipas saj, mund të mbahet për një çështje të caktuar, por jo për vendime të marra më parë, në këtë rast nga këshilli bashkiak i Tiranës.
Anëtarët e KQZ-së të propozuar nga Partia Demokratike mbështetën kërkesat për referendum dhe pas rrëzimit të tyre ata braktisën mbledhjen.
PD pretendon se projektet e mësipërme, të miratuara nga këshilli bashkiak, mund të ndërtohen në zona alternative, duke mos cënuar më tej situatën e rënduar mjedisore në Tiranë. Ato nuk marrin parasysh ndikimin në mjedis dhe janë inicuar pa ju nënshtruar konsultimit me qytetarët, siç parashikohet në ligj. Ndaj, për PD-në është e domosdoshme që qytetarët e Tiranës të shprehen për këto vendime.