20 vjet pas nëshkrimit të Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 1996, të dy vendet synojnë ta rinovojnë atë. Lajmi ka qarkulluar pas takimeve të ministrave të jashtëm të të dy vendeve, Kotzias dhe Bushati të cilët janë takuar të hënën në Athinë, në kuadrin e një vizite dy ditore që ka nisur atje shefi i diplomacisë shqiptare. Deklaratat u bënë konteksin e opinionit të përbashkët, se të dy vendet kanë tema dhe probleme, diskutimi dhe zgjidhja e të cilave synon mbylljen e kapitullit të së kaluarës në marrëdhëniet mes tyre, për t’i dhënë një energji pozitive marrëdhënieve në të ardhmen.
Por duket se temë qëndrore e takimeve ka qenë edhe kërkesa e ministrit të jashtëm shqiptar për abrogimin e ligjit të luftës mes dy vendeve. Ministri Kotzias citohet të ketë thënë se, dy vendet nuk janë në gjendje lufte dhe kjo konfirmohet, sipas tij, nga firmosja e Traktatit të Miqësisë. “Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe ndajnë mes tyre pikëpamje dhe bashkëpunim reciprok” citohet shefi i diplomacisë greke. Sipas tij nëse ekzistojnë terma juridikë për të cilat pala shqiptare kërkon një interpretim tjetër, atëherë ekziston mekanizmi për zgjidhjen e tyre.
Edhe në takimin me presidentin grek Prokopis Pavlopulos, ministri i jashtëm shqiptar ka kërkuar heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. Duket se mungesa e një ligji për abrogimin e tij nga parlamenti grek e bën që ai të konsiderohet si “një relike e së kaluarës, çka do të na japë mundësi të mbyllim një kapitull të marrëdhënieve tona” citojnë disa media zotin Bushati.
Një temë tjetër e takimeve të zotit Bushati me zyrtarët e lartë grekë ishte dhe situata e minoritetit grek në Shqipëri. Ministri i jashtëm shqiptar ka deklaruar se “respektojmë parimet dhe ligjet ndërkombëtare”, ndërsa ka kërkuar respektimin e shqiptarëve në Greqi, numri i të cilëve atje është rritur ndjeshëm.