Në një takim nga Puka, Veliaj e cilësoi Berishën si të përkëdhelurin e sistemit të kaluar. “Dje dëgjova kryeministrin e Shqipërisë i cili shante të rinjtë e G99 dhe i quante këlyshë komunistësh dhe sigurisht më erdhi për të qeshur. Unë kam qënë 5 vjec kur vdiq Enver Hoxha ndërsa Berisha ishte 25 vjet sekretar partie dhe doktor i bllokut” deklaroi Veliaj. Kreu i G99 ka ironizuar akuzat e Berishës duke u shprehur se i mirëkupton ato për shkak të kompleksimit nga fakti se të rinjtë janë të organizuar e gati për ndryshim. “Nga njëra anë e mirëkuptoj, se të jesh një plak 70 vjec, i paaftë e me fëmijë që të kanë nxjerrë bojën, të jesh autor i piramidave e autor i Gërdecit, sigurisht që kompleksohesh nga lëvizja e të rinjve, sigurisht që të komplekson fakti që të rinjtë e rritur në epokën e piramidave e në epokën e Gërdecit po organizohen. Sigurisht do ndihesh fatkeq e mundohesh të kapesh me thonj pas pushtetit, sepse mendon që të rinjtë janë gati për ndryshim. Berisha e kupton që nuk mund ti manipulojë më të rinjtë shqiptarë ashtu sic bëri në vitin 91 kur u vodhi kauzën, kauzën e të rinjve e vodhi një komunist” tha Veliaj.