Në bisedat me qytetarët Topalli tha se në katër vitet e ardhshme do të rriten investimet në infrastrukturë, më shumë investime do të ketë në bujqësi e më shumë mundësi punësimi do të ketë për të rinjtë e Pukës. Ajo theksoi se rrugët e të gjitha fshatrave do të lidhen me komunat, do të rritet granti për fshatin e do të investohet në sistemin e ujitjes. Pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit si dhe do të rritet asistenca sociale. Gjatë qëndrimit në Pukë, Topalli vizitoi edhe mjediset e një fabrike të një prej markave më të njohura të këpucëve në Evropë, një biznes që kishte mundësuar punësimin e mbi 100 vajzave e grave. Në bisedat me punonjëset e fabrikës Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli premtoi se më shumë biznese do të hapen, më shumë vende pune do të krijohen për djemtë dhe vajzat e Pukës, por edhe në të gjithë Shqipërinë dhe çdo investitor i huaj do të investojë në Shqipëri pa paguar taksa për pesë vjet.