Tiranë – Qeveria miraton hapjen e doktoraturave në disa Fakultete

Sipas të dhënave, në këtë listë përfshihet fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, me doktoratën në “Bujqësia dhe mjedisi” me disa drejtime, atë në fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit me cilësimin “Ekonomi dhe agrobiznes” në disa drejtime, atë në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, me cilësimin “Shkencat dhe bioteknologjia ushqimore”, atë në Fakultetin e Shkencave Pyjore me cilësimin “Shkencat pyjore”. Sipas vendimit të qeverisë, kohëzgjatja e këtyre programeve të studimeve të doktoratës është të paktën 3 vite, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuotat e pranimit janë gjithsej 49, prej të cilave 9 kuota për kandidatët nga jashtë kufijve të vendit. Ndërsa doktoraturat në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës, do të jenë ato në “Shkenca juridike civile”, në “Shkencat penale” dhe në “E drejta publike”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë për gradën shkencore “Doktor” (Dr.). Edhe kohëzgjatja e këtyre programeve të studimeve të doktoratës është, të paktën 3 vite, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Për vitin 2009 janë miratuar 30 kuota pranimi në Fakultetin e Drejtësisë, prej të cilave 4 për kandidatët nga jashtë kufijve të vendit. Ndarja e tyre është nga 10 kuota për secilin program studimi. Kuotat e paplotësuara përcaktohen nga Ministria e Arsimit. Tarifa e shkollimit për çdo program të plotë studimi është 400 000 lekë dhe likuidohet, për çdo vit të kohëzgjatjes normale, me këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Kandidatët që do të ndjekin programet e studimit të doktoratës, nga stafi akademik i brendshëm i institucioneve të arsimit të lartë, paguajnë 50% të tarifës së shkollimit. Kjo tarifë është e njëjtë për të gjitha doktoratat e miratuara nga qeveria në universitetet publike. Në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, të Universitetit Politeknik të Tiranës, në përfundim të doktoratës, për “Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit” lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”. Ai zgjat të paktën 3 vite, ku përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 12, prej të cilave 2 për kandidatë nga jashtë kufijve të vendit.

Advertisement