Mallakastër – Rama, fitorja jonë do të jetë fitorja për shtetin e të gjithëve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nënvizoi se Shqipëria vuan pasojat e politikës së vjetër të Berishës, pasi kjo qeveri e dështuar sipas tij, bën biznes për familjen dhe oborrin qeveritar, duke tradhtuar sic u shpreh Rama, Mallakastrën por edhe të gjithë Shqipërinë. Rama u bëri thirrje mallakastriotëve të mos cojnë votën e tyre dëm në këto zgjedhje, që janë të një rëndësie themelore sipas tij, që ndajnë të ardhmen dhe të shkuarën e Shqipërisë. “Vota e çuar jashtë kutisë së Partisë Socialiste, është një votë që ndihmon të vjetrën, është një votë që ndihmon Sali Berishën, është një votë që ndihmon atë grusht njerëzish me të cilët duhet të ndahemi ” theksoi kreu socialist. Rama në Mallakastër ka shprehur bindjen në fitoren e Partisë Socialiste në 28 qershor. “Ne do të fitojmë dhe fitorja jonë do të jetë fitorja për Shtetin e të gjithëve, do të jetë fitorja për të gjithë ata që duan të jetojnë me punë të ndershme, që duan të punojnë duke respektuar ligjin, që duan të jetojnë duke i dhënë fëmijëve atë që është e nevojshme për të qenë qytetarë të Bashkimit Europian” u shpreh Rama. Por gjatë këtij takimi, kryesocialisti është fokusuar edhe në mbrojtjen e votës dhe në faktin se sipas tij, askush nuk duhet të prekë votën e 28 qershorit. “Shpërndajeni në të gjithë Mallakastrën këtë entuziazëm dhe kurajo dhe thuajini të gjithëve se nuk ka fuqi që e prek votën tonë më 28 qershor. Nuk ka pushtet rrugaçësh dhe as rrugaçë në pushtet që mund ta prekin votën e ndryshimit më 28 qershor. Nuk do të ketë vrimë për t’u fshehur, cilido që do të guxojë të bëjë një lojë sado të vogël me votën e socialistëve më 28 qershor, sepse ne do të fitojmë” tha Rama.

Advertisement