Hysni Demiraj në krye të Gjykatës së Apelit

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi sot mbledhjen plenare, ku shqyrtoi çeshtje të rëndësishme.

Në fillim të seancës u shqyrtua dhe miratua raporti, “Mbi kryerjen e inspektimit në Gjykatën e Apelit Korçë, lidhur me ankesën e bërë publike në disa media të shkruara dhe audiovizive ndaj gjyqtarit Stavri Kallço, për mosrespektim formal të ligjit dhe kryerjes së detyrës në papajtueshmëri me funksionin e gjyqtarit” të Inspektoratit të KLD-së.

Advertisement

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli miratoi kërkesat për autorizimin për mësimdhënie për gjyqtarët: Albana Boksi, Valbona Vata,  Engert Pëllumbi, Taulant Tafa.

KLD në përputhje me rendin e ditës, miratoi grafikun e analizës vjetore në gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të apelit për vitin 2015, duke theksuar domosdoshmërinë e zhvillimit të këtyre analizave në prezencë të anëtarëve të KLD, me qëllim evidentimin e problematikave në gjykata dhe trajtimin e tyre me seriozitet në mbledhjet plenare, si dhe shqyrtuan dhe miratuan kërkesën e gjyqtarit Sokol Pasho, për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës në detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Më tej mbledhja e KLD vijoi me votimin kandidaturave për 6 (gjashtë) gjyqtarët që do të jenë pjesë e trupës gjyqësore të Gjykatës të Apelit Administrativ, në zbatim të Dekretit nr. 9409, datë 27.01.2016 të Presidentit të Republikës. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve të mëposhtëm: Fjoralba Prifti, Bernina Kondi, Enkelejda Softa, Amarildo Laçi, Arjan Qafa, Bari Shyti.

Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi raportin “Mbi vlerësimin e punës së kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë” të Inspektoratit të KLD-së, si dhe vendosi deklarimin e mbarimit të plotë të mandatit të kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Më pas Këshilli vijoi me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetar të Gjykatës së Apelit Tiranë Hysni Demiraj.