Mamurras – Berisha, mos lejoni votimet familjare

Ai lajmëroi edhe se brenda pak kohësh fillon rindërtimi i rrugës Fushë-Krujë-Mamurras-Milot, pasi projekti i saj përfundoi. “Në buxhetin e shtetit janë vendosur 2 miliardë lekë për rindërtimin e plotë të saj, sikundër do të asfaltojmë rrugët e të gjitha fshatrave të kësaj bashkie, do t’ lidhim ato me qendrat e komunës”, premtoi Berisha. Më tej kryeministri ka bërë një apel për kartat: “28 qershori po afron, thirrja ime vëllazërore për ju është që të gjitha ata që nuk kanë marrë letërnjoftimet dhe nuk kanë pasaporta, sot dhe nesër, të marrin letërnjoftimet dhe pasaportat”. Ai përsëriti thirrjen që në 28 qershor “të dalim të gjithë në votime, të votojmë në mënyrën më të qytetëruar”. Berisha njoftoi se më 28 qershor do të jenë 500 vëzhgues nga mbarë bota, kurse ka reaguar mbi kërkesën e kreut të OSBE në Shqipëri, Robert Bosh që të mos ketë më votim familjar në grup. “Ju bëj thirrje të votojmë me maturi të plotë, ju bëj thirrje ju demokratëve të Mamurrasit por edhe të mbarë Shqipërisë të mos lejoni asnjë votim familjar sepse kjo dëmton votimet”. Duke kërkuar që “të votojmë si qytetarë evropianë”, Berisha theksoi se “Evropa duhet të bindet se ne votojmë të lirë, votojmë sipas rregullave, sipas standardeve”. Këtu ai i këshilloi me detaje të pranishmit: “Në qendrat e votimit ju të shkoni si familje, por secili të votojë veçmas, në mënyrë që të realizojmë zgjedhjet më të bukura në historinë e këtij vendi”. Duke përfunduar fjalimin e tij elektoral, Berisha ka sulmuar edhe Edi Ramën: “Së fundi, socialisteve të Mamurrasit u bëj thirrje të bashkoheni me ne, me ne ju bashkon ëndrra juaj evropiane, me ne ju bashkon ëndrra atlanciste që shndërruam në realitet, me ne ju bashkon dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, me ne ju bashkon Shqipëria me infrastrukturë moderne ndaj dhe ju ftoj që të votojmë të gjithë së bashku”. Berisha shtoi se “E vërteta me Edi Ramën është se ai nuk pranon të vendoset në krye të listës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me ju, ai ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, me ata, me të cilët ndan lejet e ndërtimit”.

Advertisement