Kosovë – Italia mbështetje FSK-së

Në këtë takim ministri kosovarë Mujota shprehu mirënjohjen e tij për kontributin financiar të Italisë ndaj FSK-së. Gjatë këtij takimit Mujota e njohu ministrin italian me arritjet e deritanishme të Ministrisë së FSK-së, angazhimet dhe objektivat për të ardhmen. Ndërkohë ministri La Russa, shprehu mirënjohjen e tij për punën e ministrit Mujota dhe Ministrisë që ai drejton, duke ofruar gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Qeverisë italiane për mbështetje të gjithanshme për MFSK-në. La Russa e njohu Mujotën me vendimet e takimit të ministrave të mbrojtjes të shteteve të NATO-s. “Ishte qëndrim unik i shteteve anëtare se zhvillimet pozitive në Kosovë lejojnë zvogëlimin e një numri të caktuar të ushtarëve të KFOR-it të angazhuar në Kosovë, por në të njëjtën kohë NATO dhe KFOR-i janë këtu për t’u përballë me të gjitha situatat sipas nevojës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, theksoi ministri La Russa. Të dy ministrat janë akorduar që në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit në mes të dy ministrive respektive, shumë shpejt të angazhojnë ekipet e ekspertëve për hartimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërministror, i cili do të përcaktojë fushat konkrete të bashkëpunimit. Mujota falënderoi Komandantin e KFOR-it gjeneralin Gaj, shefin e ekipit të këshilltarëve të NATO s për FSK-në, gjeneralin De Lucio, si dhe kontingjentin italian në kuadër të KFOR-it.

Advertisement