Këshilltarët demokratë në bashkinë e Tiranës denoncuan sot standardin e dyfishtë të kryetarit Erion Veliaj, duke e akuzuar se në qendër të qytetit dhe pranë bulevardit qendror të Tiranës, po ndërtohet pa asnjë transparencë apo konsultë me qytetarët.
Këshilltari i PD-së në këshillin bashkiak, Mateo Spaho, në një prononcim pë mediat u shpreh se kjo zonë është e mbrojtur me ligj, ndërkohë që nuk ka asnjë leje ndërtimi dhe nuk dihet se çfare po ndërtohet në këtë zonë.
Ndërsa, kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, akuzoi kryetarin Erion Veliaj se po shkel ligjin e ndërkohë propagandon punët e bashkisë. Ai u shpreh se ky ndërtim është abuzim në të njëjtën formë si ndërtimi në parkun e Liqenit Artificial.
“Jemi para një paligjshmërie absolute, sepse përtej faktit që kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur, të paktën me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe jo Republikës Popullore të Shqipërisë, siç duan ta shndërrojnë këtë vend Erion Veliaj. Kjo është një zonë e mbrojtur dhe ndërkohë këto ndërhyrje fasade janë thjeshtë e vetëm për të justifikuar gjasme “vrullin” e madh për të bërë më të mirë Tiranën”, tha Olli.