Tiranë – LSI prezanton programin qeverisës në Kombinat

“Populli i Kombinatit ka qenë dhe mbetet një komunitet punëdashës, por që për fat të keq e ka shumë të vështirë të gjejë vetveten duke punuar. Prandaj, përmes këtij programi ne i ofrojmë komunitetit tuaj të mrekullueshëm, një perspektivë të afërt, të prekshme, në mënyrë që të gjithë përmes punës të mbajnë me djersë dhe dinjitet familjet e tyre, t’i rrisin dhe t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Unë do bëj çdo gjë që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i legalizimeve, proces me të cilin Sali Berisha ka 4 vjet që mban peng qindra mijëra shqiptarë në të gjithë Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë”, tha Meta. Sipas tij, programi i LSI-së, synon të ulë koston e jetesës për familjet shqiptare, të cilat i kanë të ardhurat nën minimumin jetik. “Ne do të miratojmë ligjin për moshën e tretë, i cili garanton për 350 mijë pensionistë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që nuk përballojnë sot as pagesën e ilaçeve të tyre, do të garantoj për ta shërbimet jetike më të domosdoshme. Ne do të garantojmë statusin e ushtarakut, që Sali Berisha e hodhi poshtë. LSI ishte e vetmja forcë politike që paraqiti në parlament statusin e minatorit dhe partitë e tjera e hodhën poshtë dhe nuk e mbështetën, ndërsa sot që u duhen disa vota nga ish-minatorët, hipokritë me lot krokodili, u kujtuan të premtojnë për minatorët” shtoi më tej Meta.

Advertisement