Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish, pak para nisjes së procedurës së votimit për zgjedhjen e Presidentit.
Seanca është ndërprerë për herë të dytë ende pa filluar fjalën deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, i cili ishte edhe i fundit në diskutimet e sotme, ndërkohë që kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, paralajmëroi se pas fjalimit të Hamitit do të vazhdojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit.
Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka hedhur përsëri gaz lotsjellës, që shkaktoi edhe ndërprerjen e seancës për herë të dytë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të përjashtojë nga seanca e sotme 11 deputetë të opozitës. Ata janë Ismajl Kurteshin, Time Kadriajn, Teuta Haxhiun, Faton Topallin, Pal Lekajn, Bali Muharremaj, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Visar Ymeri, Mytaher Haskuka, dhe Salih Salihu.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi, vendimi është marrë nga Kryesia e Kuvendit dhe këta deputetë përjashtohen për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.
Në fletëvotim për zgjedhjen e Presidentit janë dy kandidatë, Hashim Thaçi e Rafet Rama. Rreth Kuvendit në sheshe po proteston opozita e bashkuar.
Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma e deputetëve, pra 61 vota.