Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mungesën e votimit në Kuvend të shkarkimit të ministrave Cani dhe Ahmetaj, nga postet respektive të ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë.

Në një njoftim nga zyra e shtypit e Presidencës thuhet se, kreu i shtetit kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të marrë për interpretim të nenit numër 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Advertisement

Në kërkesën e tij kreu i shtetit argumenton se, në seancën e datës 18 shkurt 2016, Kuvendi nuk ka marrë në shqyrtim dekretet e tij për shkarkimin e dy ministrave, Cani dhe Ahmetaj, duke lënë dekretet pa fuqi.

“Kjo situatë ka krijuar një ngërç, pasi presidenti nuk ka proceduar me emërimin e dy ministrave të tjerë që zëvendësojnë dy ministrat e shkarkuar. Përsa kohë dekretet e presidentit për shkarkimin e dy ministrave nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi, ata kanë ngelur pa fuqi”, thotë Nishani në letrën e tij.

Kreu i shtetit vlerëson më tej se, “do të jetë pa kuptim nëse dekretet për shkarkimin e ministrave do të kenë votën kundër të Kuvendit, ndërkohë që presidenti emëron dy ministra të tjerë, referuar propozimit të kryeministrit”.

“Në rastin konkret, Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi dekreteve të presidentit për shkarkimin e ministrave, ndërkohë që presidenti ka detyrimin kushtetues të shprehet me dekret për emërimin e dy ministrave të tjerë, referuar propozimit të kryeministrit, brenda afatit 7-ditor”, shton Nishani ne kërkesën e tij.