Tiranë – Rama, Tiranës do t’i japim statusin metropol

Gjatë turit të tij elektoral për prezantim e kandidatëve të qarkut në komunën Farkë, shefi i Partisë Socialiste deklaron se ky status do të cojë për Farkën dhe banorët e saj shërbime të integruara për të gjithë qarkun si dhe rritjen e punësimit. “Do t’i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë dhe duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, që nga Dajti e deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara. Me shërbim ujësjellësish të integruar. Duke ruajtur autonominë e të gjitha njësive vendore, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal”, theksoi Rama. Duke kërkuar votën e banorëve të Farkës dhe të gjithë Shqipërisë Rama garantoi se vota për Partinë Socialiste është votë për të ardhmen e vendit. “Banorët dhe banoret e kryeqytetit kanë një arsye të thjeshtë për të votuar më 28 qershor për mua dhe për Partinë Socialiste: që transformimet e bëra në këto vite, t’i përshpejtojmë dhe që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç’kemi bërë në 8 vitet e shkuara të marra së bashku në Tiranë. Ndërsa të gjithë të tjerët që banojnë rreth Tiranës kanë po ashtu një arsye madhore e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth edhe Bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës”, tha Rama.

Advertisement