Kosovë – Ahtisari, Serbia të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur

Ahtisari u bën thirrje liderëve dhe qytetarëve të Kosovës të vazhdojnë të përballojnë sfidat për një shoqëri multietnike e demokratike. Duke folur në parlamentin e Kosovës, në vizitën e tij të parë pas pavaresisë së këtij shteti, Ahtisari u bëri thirrje kryesisht të rinjve që të angazhohen dhe të marrin pjesë në ndërtimin e shoqërisë shumë etnike. Ai nga ana tjetër i bëri thirrje Serbisë të pranojë realitetin e ri në Kosovën e pavarur. Ndërkohë, Ahtisari i bëri thirrje edhe Bashkimit Europian të gjejë një qëndrim të përbashkët për Kosovën, në mënyrë që ky vend të stabilizohet duke mundësuar integrimin në rajon dhe duke hapur perspektivën për integrimin europian. Sipas Ahtisarit, nevojitet bashkëpunimi mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të arritur stabilitetin në këtë rajon. Ahtisari u shpreh se Kosova do të ketë një vend të posacëm në zemrën e tij. Në fund Ahtisari përgëzoi edhe njëherë liderët e Kosovës për dokumentin kushtetues, i cili hyri në fuqi pikërisht një vit më parë. Ahtisari u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të jenë krenarë për arritjet e deritanishme, por të kenë gjithnjë parasysh detyrimet dhe sfidat që shtrihen përpara.

Advertisement