Kosovë – Festohet 10 vjetori nga hyrja e trupave të NATO-s

12 qershori kremtohet si ditë e lirisë por edhe e kujtimeve për ngjarjet e viteve 1998-1999. Zyrtarët kosovarë e vlerësojnë këtë si një prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Me rastin e dhjetë vjetorit të përfundimit të luftës, udhëheqësit politikë të Kosovës u drejtuan falënderime trupave të NATO-s. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se 12 qershori i vitit 1999 është njëra prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se me ndërhyrjen e NATO-s, filloi liria e Kosovës, e cila sot bashkë me dhjetëvjetorin e kësaj ndërhyrjeje kremton edhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj. Rreth 50 mijë trupa të NATO-s u vendosën në Kosovë dhjetë vjet më parë ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht këtu ndodhen 14 mijë trupa dhe deri në fund të vitit ky numër pritet të ulet në rreth 10 mijë. Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s ranë dakord dje të pakësojnë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë me një të tretën, duke thënë se gjendja e sigurisë në këtë vend është përmirësuar. Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hop Shefer njoftoi arritjen e marrëveshjes në një takim të ministrave në Bruksel. Ai nuk dha një datë specifike për pakësimin e trupave por tha se pret që kjo të përfundojë deri në janar. Nëntë vjet pas përfundimit të luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj të cilën e kanë njohur deri tani 60 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Advertisement