Në takimin me banorët të këtij qyteti kryesocialisti Rama bëri thirrje për tu shkëputur nga duart që sic u shpreh ai kanë mbajtur peng të ardhmen e shqiptarëve. “Sali Berisha jua kërkon votën që ju të keni edhe 4 vite të tjera si këto 18 vjet që po mbarojnë. Të tjerë jua kërkojnë votën të vetmen votë që keni për një deputet të vetëm që më pas mandatin e marrë nga ju ta nxjerri në pazarin e vjetër të numrave dhe të interesave personale dhe ju të vazhdoni të shikoni dhe 4 vite të tjera të njëjtën shfaqe me qeverinë e marrë peng nga një grusht njerëzish për të njëjtat interesa me kurriz të kthyer nga ju. Ndërsa unë jua kërkoj votën për programin e ri, për Shqipërinë që e shkruam sëbashku”- theksoi kryesocialisti Rama. Kryesocialisti kërkoi votën e lezhianëve në emër të një ekipi të ri, por edhe të një programi premtues, i cili do të marrë jetë më 28 qershor. “Askush nga ju nuk duhet të harrojë se ndryshimi i madh që na duhet mund të realizohet vetëm duke bashkuar votën me një forcë të madhe dhe kjo është vetëm një forcë e madhe e cila mund të realizojë ndryshimin. Kjo është forca jonë e mishëruar tek Partia Socialiste”, tha Rama. Në takimin elektoral me banorë të Lezhës Rama u angazhua për lëvizje të lirë të shqiptarëve si një mundësi e cila u është mohuar për shkak të keq qeverisjes. Kryesocialisti u angazhua se partia që ai drejton do të realizojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vitin 2010. “Vota e 28 qershorit është një votë për heqjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Europës, është një votë për tu bashkuar që të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion, për të njëjtën ëndërr, për ëndrrën e vjetër të Shqipërisë zonjë dhe mërgimtarëve të parë dhe për ëndrrën e re të Shqipërisë si të gjithë Europa”, theksoi Rama.