Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga Malësia e Madhe, ku ndodhej për të përkujtuar 71-vjetorin e Kryengritjes së parë antikomuniste, kërkoi hetimin e krimeve të komunizmit. Kjo, tha Kreu i Shtetit, është në interes të sigurisë kombëtare, ndërsa kërkoi heqjen nga drafti i reformës në drejtësi të neneve që pengojnë hetimin e krimeve të periudhës së diktaturës.
“E quaj të papranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë të reformës në drejtësi, për të vendosur në Kushtetutë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit. Nga kjo tokë martirësh i bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë që të mos e miratojnë këtë nen”, deklaroi Nishani.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti spjegoi dhe arësyet e mosdekretimit të ligjit të pronave dhe dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese. “Askush nuk do ta besonte se në 2016-n do të vinte një ligj për të rikonfiskuar pronat” deklaroi Nishani, pak ditë pasi vendosi të dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese ligjin e pronave, i miratuar në Kuvend më 21 janar, pa asnjë ndryshim, edhe pasi Kreu i shtetit e riktheu për rishqyrtim në parlament.
Më pas, Presidenti i akordoi Dekoratën e Artë të Shqiponjës pjestarëve të Kryengritjes së parë antikomuniste.
Ai e konsideroi kryengritjen si ngjarje me vlera të paçmuara.
“Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk ishte rastësore. Revolta antikomuniste kërkon tabanin e vet dhe më mirë se këtu nuk kishte ku të gjente. Nuk do të rresht sa të jem në këtë institucion t’i përkujtoj këto ngjarje të rëndësishme për vendin”, tha Nishani.