Situata në akset kombëtare të vendit paraqitet sot më e mirë, e kushtëzuar dhe nga ndërprerja e reshjeve, ndërsa vazhdon puna për pastrimin e rrugëve si rezultat i shkarjeve të dheut.
Ministria e Transporteve njofton se nga informacionet e specialistëve të rrugëve situata në akset kryesore kombëtare paraqitet si më poshtë:

Në Drejtorinë e Rajonit Verior Shkodër:

Advertisement

Sot gjendja e akseve në këtë Drejtori paraqitet më e mirë. Në akset ku ka rënie të gurëve e dherave në rrugë, janë marrë masat për pastrimin e akseve. Në zonat me hije, ku ka formim të ngricave, është bërë spërkatja e tyre me kripë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi Qafë Shllak – Fierzë, për shkak të një shkëputjeje të trupit të rrugës me 25 ml. Në këtë aks është nisur një grup specialistësh të ARRSH-së. Të gjithë kontraktorët janë në gadishmëri me mjete dhe njerëz.

Në Drejtorinë e Rajonit Qëndror Tiranë:

Edhe sot po vazhdon puna për pastrimin e plotë të shkarjes masive në Xibrakë. Për momentin rezultojnë të bllokuara segmenti rrugor Banjë – Drizë, kurse segmentet Elbasan – Gjinar dhe Drizë – Gramsh janë me një kalim. Në akset e Qarkut të Tiranës, problematike është situata në Dobresh dhe qarkullimi është i bllokuar në aksin e vjetër Tiranë – Elbasan. Qarkullimi kryhet nga aksi i ri. Në aksin Qafë Priskë – Shëngjergj qarkullimi kryhet me një kalim, si pasojë e shembjes së trupit të rrugës.

Në Drejtorinë e Rajonit Jugor Gjirokastër:

Nuk ka probleme në të gjitha akset e këtij Rajoni. Në akset e Qarkut të Korçës ku ka patur ngrica, është bërë spërkatja me kripë. Të gjithë kontraktorët janë në gadishmëri për çdo situatë.