Fushë Krujë – Berisha, në mandatin e dytë do të punësojmë 160 mijë shqiptarë

Berisha i kujtoi banorëve të Fushë Krujës se “këtu erdhi për t’u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kurse shtoi se “një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur”. Në këtë pikë, Berisha lëshoi thirrjen më të re: “Vëllezër e motra, fushëkrujas, krutane e krutanë, asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t’i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W. Bush”. Në vijim të fjalës së tij në miting, Berisha apeloi edhe një herë për pajisjen e shqiptarëve me karta: “Kam një thirrje vëllazërore, pavarësisht nga bindjet tuaja politike, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, merrni letërnjoftimet elektronike, që janë dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Evropë”. “Shqipëria europiane fillon nga letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Ndaj ftoj ata që nuk i kanë marrë ende, t’i marrin. Ftoj të gjithë këshilltarët, kryetarët e komunave e të bashkive të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, të bëjnë çdo përpjekje që qytetarët e bashkive dhe komunave të tyre të pajisen brenda javës me letërnjoftimet elektronike. Ftoj militantët e të gjitha partive politike të ndihmojnë mbështetësit dhe simpatizantët e tyre për të marrë letërnjoftimet elektronike”, tha Berisha Po ashtu Berisha, në miting premtoi se “do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri, më modern e më kohëshkurtër në rajon dhe Evropë”. Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të dytë qeveria do të asfaltojë të gjitha rrugët e kësaj zone dhe do të krijojë vende të reja pune. “Ju kam premtuar se qeveria do ta shndërrojë Fushë Krujën në një lagje të kryeqytetit të vendit. Sot, Fushë Kruja, jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat e tij, i kanë të gjitha rrugët e asfaltuara. Gjatë katër vitet që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe Shqipërisë”, theksoi kryeministri Berisha. Më tej Berisha shtoi se “Ne nxorëm nga varfëria 400 mijë shqiptarë, në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar në këtë vend, pavarësisht nga statusi i tij, që të mos marrë mbi dy dollarë në ditë për të dalë jashtë kufirit të varfërisë. Ne që punësuam gjatë katër viteve mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë, katër vitet që vijnë do të punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë”.

Advertisement