Kavajë – Berisha, ju premtojmë Shqipëri evropiane

Më pas, Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e komunës Synej, i cili furnizon 24 orë me ujë të cilësisë shumë të mirë 7 mijë banorë të kësaj zone, si dhe bulevardin e kësaj komune, me vlerë 38 milionë lekë. “Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ne kemi ndryshuar Shqipërinë, kemi ndryshuar Synejn, por Shqipëria dhe Synej kanë nevojë për ndryshime të tjera akoma edhe më të mëdha, të cilat ne do t’i bëjmë. Syneji, Kavaja dhe Shqipëria kanë nevojë që ju, të dashur qytetarë, të gëzoni ato standarde që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ju kudo që jeni të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të keni mundësi të gëzoni shërbimet që gëzojnë në qytet. Kjo është Shqipëria evropiane që ne premtojmë” u shpreh Berisha. “Në rast se ne asfaltuam në katër vite rreth 6 mijë kilometra rrugë, absolutisht që në katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij vendi ku ka prani të fermerëve shqiptarë. Në rast se ne në katër vite ndërtuam 720 ujësjellës, një ndër të cilët është edhe ky që inauguruam sot, ju garantoj ju se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë familje shqiptare që të mos ketë ujë 24 orë. Në rast se në katër vitet që kaluan, ne dhjetëra fishuam mbështetjen për fshatin me rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, por edhe me financime për projekte bujqësore, në katër vitet që vijnë do të mbulojmë me subvencion të gjitha sipërfaqet tuaja të mbjella, do të subvencionojmë inputet tuaja, do të subvencionojmë edhe naftën. Kjo do të bëhet mbi bazën e sipërfaqeve të mbjella. Gjithashtu, ne do të financojmë çdo projekt tuajin. Ju hartoni projektet për fermat tuaja, ndërsa ne do t’i financojmë ato” shtoi më tej Berisha. Kreu i demokratëve gjatë fjalës së tij në Synej tha se këto zgjedhje janë më modernet në të gjithë historinë e vendit, ndërsa u kërkoi shqiptarëve të aplikojnë për letërnjoftimet e reja. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk kanë marrë ende kartat, që këto ditë t’i marrin ato si detyrim madhor qytetar ndaj vetes, familjes dhe vendit të tyre. është shans i madh që të votojnë më datën 28 qershor me standardin më modern në Evropë, me letërnjoftimet më të reja dhe më moderne në Evropë dhe t’i dëshmojmë vëzhguesve nga e mbarë bota se për ne vota është themeli i demokracisë”, u shpreh Berisha.

Advertisement