Tension në Kuvend, debat Berisha-Balla; Leskaj ndërpret seancën

Foto Arkiv

Në seancën plenare të kësaj të enjteje, ish-kryeministri Sali Berisha u është rikthyer akuzave publike ndaj djalit të tij, Shkëlzen Berisha në rastin e demontimit të armëve në Gërdec.

Berisha tha se djali i tij nuk është përfshirë në asnjë fond që ka të bëjë me sektorin publik, ndërsa në lidhje me demontimin e armëve deklaroi se është përdorur si provë një dokument, një faks i falsifikuar i dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Advertisement

“Falsifikuat në atë kohë një faks të Ministrisë së Drejtësisë të drejtuar gjoja për Shkëlzenin tek Ministria e Mbrojtjes”, tha Berisha.

Pas këtyre deklaratave të Sali Berishës, mori fjalën për replikë deputeti socialist Taulant Balla, fjalia e parë e të cilit tensionoi punimet në sallë.

“Kam shumë kolegë që më thonë që kam gjetur një të ngordhur dhe merrem gjithë ditën me të”, tha Balla. Kaq ka mjaftuar që deputetët e opozitës të reagojnë duke e cilësuar deklaratën e deputetit socialist si fyese dhe kërkoi ndërprerjen e fjalës së tij.

Pas disa minutave debat, kryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ndërpreu seancën deri në riparimin e fonisë së dëmtuar gjatë reagimit të deputetëve të opozitës që i ndante nga foltorja e Kuvendit ku po fliste Taulant Balla gardhi i ngritur nga punonjësit e sigurisë së Kuvendit.

Ndërkohë, më herët ish-kryeministri akuzoi Partinë Socialiste se nuk ka vullnet për të votuar hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ.

Ai tha se maxhoranca refuzon të ndjekë të praktikën e përdorur në rastin e hetimit të vrasjes së Azem Hajdarit dhe atyre të krimeve të luftës, për të vetmen arsye se në aferën CEZ është i përfshirë drejtpërdrejtë kryeministri Edi Rama.

“Nuk doni praktikën e përdorur me Azem Hajdarin, që solli dënimin e autorëve të krimit, nuk doni hetimin që u bë për krimet e luftës. Keni votuar këtu dhe u keni dhënë sovrantietin prokurorëve të huaj, por tani që është në pyetje Edi Rama, s’mund ta votoni kurrë”, tha Berisha.