Shqipëria nuk është as më shumë e as më pak e kërcënuar se vendet e tjera. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një shkrim të tijin, të titulluar “Asnjë frikë nga terrorizmi”.
“S’ka vend për panik. S’ka vend për frikë. S’ka vend për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë. Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera. Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën, të cilës i përkasim nuk mund të jetë jashtë rrezikut. Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët”, shkruan kryeministri.
Duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të qëndruar në krah të aleatëve në luftën kundër terrorizmit, Rama thotë se shumë shpejt dhe ISIS do t’i vijë fundi.
“Edhe kjo do të ketë fundin që patën të tjerët përpara saj. Ne shqiptarët do të vazhdojmë të qëndrojmë me besim të plotë në anën e duhur të historisë si pjesë e Europës së bashkuar, e aleancës së madhe të së mirës, kundër së keqes”, shkruan Rama.