Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, në një deklaratë për mediat të premten, u shpreh se, progresi i konfirmuar në raportin e BE-së për reformat e ndërmarra në sektorin e administatës publike, evidenton se për këtë çështje, Shqipëria është në nivelin e nevojshëm për të çelur negociatat.
Ministrja Harito deklaroi se, “Progresi në administratën publike vlerësohet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët i kanë çelur negociatat. Këtë hap thelbësor në reformimin e administratës publike në Shqipëri, progres-raporti e demonstron me shprehjen ‘vazhdoni të ofroni shërbim meritokratik’ “.
Sipas Haritos, “konfirmimi nga BE është mjaft domethënës edhe për ata që janë skeptikë për reformën e ndërmarrë dhe për ata që kanë si synim të hedhin baltë mbi punën e bërë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi rruga për arritjen e qëllimit është shumë e gjatë”.
Falë rikthimit të besimit të publikut në konkurset e zhvilluara nga DAP, Harito tha se vetëm në një vit kanë konkuruar plot 24 mijë vetë. Duke e vlerësuar reformën në këtë sektor, ministrja Harito theksoi se, qeveria mbetet e angazhuar ne zbatimin me rigorozitet të Kodit të ri të Procedurave Administrative.