Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, së bashku me dy Zv. Ministrat e Integrimit Europian, Erisa Xhixho dhe Gentian Elezi, zhvilloi sot një takim me Forumin për Integrimin Europian. Fokusi i këtij takimi, ishte gjithëpërfshirja në procesin e integrimit dhe kontributi i ekspertëve të rinj në fazat e mëtejshme të tij.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se, Ministria e Integrimit i ka dyert e hapura për të gjithë aktorët e procesit, veçanërisht shoqërinë civile dhe mirëpret rekomandimet e tyre në funksion të ecurisë së mëtejshme të tij.
“Ekspertë të mirëfilltë i duhen vendit tani dhe sidomos në fazën që na pret që është hapja e negociatave. Bashkëpunimi me ta është thelbësor në mënyrë që ne ti hedhim sa më të matur dhe efektivë hapat tanë të mëtejshëm drejt BE-së”, tha Ministrja Gjosha.
Gjatë takimit, u diskutua për rëndësinë që ka ndarja e informacionit me publikun, ku Ministrja Gjosha dha garanci për vënien në dispozicion të qytetarëve të të gjithë dokumenteve, të cilat aktualisht janë të aksesueshme edhe në faqen zyrtare të MIE-s.
Dy Zv. Ministrat, gjithashtu nënvizuan rëndësinë e procesit duke shpjeguar më teknikisht qasjen e Ministrisë së Integrimit, për fondet IPA dhe 5 prioritetet e lënga Komisioni Europian. Në fokus të diskutimeve ishte edhe progres-raporti i këtij viti, rekomandimet e lëna dhe nevoja e adresimit sa më të shpejtë të tyre në institucionet përkatëse.
Të rinjtë e Forumit të Integrimit Europian, gjithashtu ndanë të njëjtën bindje se shkëmbimi i informacionit e bashkëpunimi në nivel ekspertësh mes Ministrisë së Integrimit, atyre të linjës dhe institucioneve të tjera do të ndihmonte procesin e integrimit.