Ndotja në detin e Durrësit, Panariti: Situata po përmirësohet

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh sot se nga ndotja e detit në Durrës, në zonën “Ilira”, nga derdhja e vajit të djegur nga anija që nuk është identifikuar ende, situata po përmirësohet dhe ndotja konsiderohet vetëm sipërfaqësore.

“Ndotja e detit me vajra të djegur është një ngjarje kriminale nga njerëz të papërgjegjshëm”, tha ministri.

Advertisement

Ndërsa shpjegoi se, angazhimi i menjëhershëm i autoriteteve për të pastruar ndotjen në 3 km vijë bregdetare, ka bërë të mundur heqjen e një pjese të rërës së ndotur.

Kreu i Bujqësisë bëri me dije se vendimi për pezullimin e peshkimit, nuk është për peshkimin në thellësi por për amatorët në bregdet.

Ndërsa Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të angazhuara në plazhin e Durrësit në operacionin e pastrimit të ndotjes së shkaktuar gjatë ditës së djeshme.

Forca Detare dhe ajo Ajrore janë të përfshira në monitorimin dhe punën për zgjidhjen e situatës së krijuar në plazh.

Anije pastrimi dhe patrullimi kanë rrethuar zonat e prekura dhe po punojnë për thithjen e ndotjes dhe normalizimin e situatës.

Forca Ajrore ka vënë në dispozicion një helikopter i cili ka kryer vëzhgimin nga ajri të plazhit dhe ka evidentuar pikat ku duhet ndërhyrje.

Krahas anijeve dhe helikopterit, një efektiv prej 35 trupash gjithashtu po punojnë për zgjidhen e situates së krijuar.