Tiranë – G99, qeveria ka dështuar në plotësimin e kërkesave të BE

Gjatë kësaj proteste, kandidati i G99 për Tiranën, Arbjan Mazniku tha se “dështimi i sigurimit të mundësisë për të lëvizur lirisht ishte dështimi i qeverisë Berisha e cila kishte premtuar shprehimisht ta siguronte këtë të drejtë në qershor të viti 2009”. Duke treguar fletën e programit të PD me premtimin e shkruar, Mazniku tha “kemi ardhur këtu sot për të testuar premtimin e kësaj qeverie se në qershor të 2009 shqiptarët do të mund të udhëtonin kudo në BE pa Viza. Siç mund ta shohim, ky premtim nuk është mbajtur”. “Nuk ka qenë mungesa e dëshirës nga ana e BE por mungesa e aftësisë dhe vullnetit të qeverisë dhe zoti Berisha për t’i pajisur shqiptarët me dokumente të rregullta të cilat do ju garantonin atyre këtë të drejtë. Sot bashkëmoshatarët tanë të rinj të vendeve fqinje mund të udhëtojnë fare lehtë në Evropë ndërkohë që të rinjtë shqiptarë nuk e kanë këtë mundësi. Ka pasur një udhërrëfyes të qartë me kërkesa të BE që duheshin plotësuar dhe kjo qeveri ka dështuar t’i plotësojë ato. Kanë mbetur dhe vetëm 26 ditë nga ky dështim derisa qeveria e re të angazhohet seriozisht për të garantuar lëvizjen e lire,” u shpreh Mazniku.

Advertisement