Takimi mes Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ishte bërë me kërkesë të këtij të fundit, i cili po kalonte tranzit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumë llojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për Qëllime Turistike”, që do të zhvillohet nesër në Cetinjë të Malit të Zi. Presidenti Topi i vuri në dukje homologut maqedonas klimën e mirë të bashkëpunimit politik e ekonomik si dhe situatën e re gjeo-politike në rajon, e cila është përmirësuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe futjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. “Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi faktin se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumë etnik dhe se mbështetja e vendeve fqinjë duhet marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale duke qenë se kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe familjen e madhe evropiane”- thuhet në njoftimin për shtyp që ka shpërndarë zyra e presidentit Topi. Takimi mes dy presidentëve u pa me një interes të vecantë nga media pasi ndodh në një klimë të tillë politike në rajon, ku marrëdhëniet mes Shkupit e Prishtinës janë të acaruara për shkak të refuzimit të ftesës që Presidenti Sejdiu bëri për të vizituar Shkupin. Refuzimi erdhi pasi Ivanov ndryshoi agjendën e takimit, duke mos i bërë një pritje zyrtare. Po kështu presidenti Sejdiu nuk u ftua as në ceremoninë e inaugurimit të Gjorgje Ivanov si president i Maqedonisë, pasi në ceremoni ishte i pranishëm presidenti serb Boris Tadic. Në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të presidentit shqiptar nuk bëhet e ditur se cila ka qenë deklarata e presidentit maqedonas Ivanov, gjatë takimit që zgjati rreth 50 minuta dhe u zhvillua pa praninë e medias. Në deklaratën për shtyp thuhet se të “dy personalitetet e larta kanë vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik.”