Francë – Vazhdojnë kërkimet për avionin e zhdukur

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i kompanisë franceze, Pierre Henry Couregeon i cili sqaroi se katastrofa ka ndodhur në gjysmë të rrugës. Kërkimet mbi avionin e zhdukur në Atlantik kanë vazhduar gjatë gjithë natës nga dy avione të pajisur me aparatura të sofistikuara me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Ndërkohë kërkimet e autoriteteve braziliane po kryhen rreth ishullit Fernando di Noronha, por sipas mediave vendase avioni mund të jetë zhdukur 700 kilometra larg brigjeve, ku Oqeani arrin deri në 4 mijë metra thellësi. Përfaqësues të “Air France” kanë bërë të ditur se shkak i rrëzimit të avionit mund të ketë qënë moti i keq. Airbus kaloi në një zonë me mot tropikal pranë ekuatorit ku shpesh ka turbullira dhe stuhi të fuqishme me vetëtima. Pothuajse në atë kohë, avioni transmetoi një mesazh automatik për një qark të shkurtër elektrik. “Nuk ka patur asnjë kontakt direkt me ekuipazhin”, tha drejtori i kompanisë, Gourgeon. Sipas tij ka shumë mundësi që vetëm disa sekonda pas këtij sinjali ka ndodhur edhe rrëzimi i avionit në Atlantik. Një zëdhënës i Air France tha se një kombinim rrethanash përfshirë vetëtima, mund ta kenë rrëzuar avionin. Megjithatë ekspertët e aviacionit thonë se kjo nuk mund të ketë qënë arsyeja e vetme për rrëzimin katastrofik në oqean. Kompania ajrore ka bërë edhe identifikimin dhe publikimin e kombësisë së 228 personave që ishin në bord. Bëhet fjalë për 61 francezë, 58 brazilianë, 26 gjermanë dhe 10 italianë. Presidenti francez Nikolas Sarkozi, pas një takimi që pati me të afërm të të zhdukurve në aeroportin “Charles de Gaulle”, tha se “kjo është katastrofa më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë ‘Air France’”. Ndërkohë që u shpreh se për momentin nuk ka asnjë detaj për të kuptuar atë që ka ndodhur Sarkozy shtoi se “Mundësitë për të gjetur të mbijetuar janë shumë minimale”. Pilotët e një fluturimi në kursin që shkon nga Franca në Brazil të kompanisë braziliane “Tam” kanë bërë të ditur se kanë parë “drita portokalli” në Atlantik, vetëm 15 minuta pas kontaktit të fundit me radio me avionin e “Air France” që është zhdukur. Lajmin e ka bërë të ditur për shtypin zëvëndëspresidenti brazilian, Jose Alencar. Deklaratat e tij janë bërë pas një takimi në aeroportin e Rio de Janeiros, me disa familjarë të pasagjerëve të zhdukur. Ekipet braziliane dhe franceze të shpëtimit po vazhdojnë kërkimet edhe ditën e sotme për gjetjen e pasagjerëve të avionit të Air France, i zhdukur mbi Oqeanin Atlantik mëngjesin e së hënës. Avioni duhet të kryente një fluturim prej 11 orësh, me destinacion Parisin.

Advertisement