Nga ana e tij, ministri Basha i falenderoi ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë Rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në ministerialin e Damaskut, zhvilluar gjatë datave 23-25 maj. Duke e konsideruar këtë rezolutë si një sukses për organizatën, ministri Basha tha se ajo është e një rëndësie të veçantë, pasi ndër të tjera, organizata prej 57 shtetesh, njeh se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Basha vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj dhe thirrjen që ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës.