Bashkia e Tiranës, aksion për zëvendësimin e pusetave të munguara

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi Ndërmarrjen Publike nr. 2, ku inspektoi përgatitjet për zëvendësimin e pusetave të munguara, si dhe paralajmëroi se të gjitha fonderitë që pranojnë pusetat e vjedhura, që janë pronë e qytetarëve të Tiranës, do të ndiqen penalisht dhe do t’u hiqet licenca.

Pas identifikimit të rreth 4 mijë pusetave të munguara në kryeqytet, Bashkia e Tiranës nisi zëvendësimin e tyre, duke filluar nga rrugët pranë institucioneve arsimore, e duke vijuar me rrugët kryesore të qytetit.

Advertisement

“Falënderoj kolegët që po përfshihen në operacionin për rehabilitimin e Tiranës, të cilën e gjetëm pa puseta, pa ndriçim, pa pemë, të shqyer në të gjitha drejtimet e punëve. Kur kemi vetëm 10 javë në detyrë, na duhet t’i japim sa të mundemi një sens të ri funksionimit normal të qytetit”, deklaroi Veliaj. Duke i cilësuar pusetat si pronë publike, Veliaj sqaroi se çdo biznes që i blen këto materiale do të penalizohet.

“Nëse ka një fonderi, e cila shkrin ose blen qoftë edhe një copë pusetë, që është pronë e Bashkisë së Tiranës, ai biznes do të mbyllet dhe do t’i hiqet licenca. Do të shkojë për ndjekje penale, jo vetëm ai që e vjedh pusetën, por edhe ai që e blen materialin e vjedhur, që më pas e shkrin dhe e përdor për punë të tjera”, deklaroi Veliaj.

Ndërkaq, ai tha se Bashkia e Tiranës ka nisur përdorimin e një materiali të ri për prodhimin e pusetave, në mënyrë që të mos jetë i riciklueshëm dhe për pasojë të mos bjerë pre e vjedhësve për t’u shitur.

“Ne do të futemi në një koncept të ri, duke përdorur më shumë kompozitë dhe plastikë, pra do të prodhojmë puseta të pariciklueshme dhe të papërdorshme. Në një qytet ku duhet të jetojmë të gjithë, ai që vjedh pusetat duhet të kuptojë se mbi to kalon nëna dhe motra e tij, gjyshi apo gjyshja e tij”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Kryetari i Bashkisë kërkoi ndihmën e qytetarëve për të denoncuar këdo që vjedh apo mbledh pusetat e vjedhura nga rrugët e kryeqytetit.

Drejtoria e Ndërmarrjes Publike nr. 2 të Bashkisë së Tiranës ka nisur vendosjen e pusetave dhe zgarave në të dy krahët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Njëkohësisht, aksioni për vendosjen e pusetave është përqendruar nëpër trotuare, afër institucioneve arsimore, ku kalojnë fëmijë dhe më pas punonjësit do të shpërndahen në të gjitha njësitë e qytetit.