Nga sot, sheshi “Italia” është në dispozicion të qytetarëve si vend parkimi publik për makinat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi pikërisht ditën pa makina për të përuruar parkimin e ri publik të ndërtuar në këtë hapësirë, sipas standardeve bashkëkohore.
Në fjalën e tij, ai theksoi se ky parkim është një mundësi më shumë për qytetarët që duan të lënë makinën e tyre dhe të frekuentojnë pedonalen e sheshit “Nënë Tereza” apo kodrat e Liqenit për një jetë të shëndetshme.
“Më vjen mirë që sot, në ‘Ditën pa makina’, inaugurojmë një investim të Bashkisë së Tiranës si ky parking, i cili është investimi i parë i kompanisë publike të bashkisë që do të administrojë parkimin tek sheshi “Italia”. Përurimi i një hapësire të re parkimi në qytet është mënyra më e mirë për të festuar ditën pa makina”, tha Veliaj. Ai shtoi se ky është parkimi i parë publik që vjen si investim i Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar se në javët në vazhdim të tjera hapësira të zëna do u kthehen qytetarëve si vende publike parkimi.
“Më vjen mirë që ky është investimi i parë i një serie investimesh. Javën tjetër ne do të vazhdojmë me një parking tjetër të ngjashëm publik, në sheshin përpara stadiumit ‘Dinamo’, pastaj do të vazhdojmë në sheshe të tjera, në të gjithë Tiranën”, tha Veliaj. Kryebashkiaku ka paralajmëruar gjithashtu, se shumë shpejt bashkia do të fusë koncepte të reja të administrimit të parkingjeve publike, në mënyrë që ato t’i vijnë në ndihmë qytetarëve, por duke orientuar sa më pak trafik drejt qendrës që qytetit.
“Shumë shpejt do të fusim konceptin e metrave të parkimit në të gjithë shëtitoren, në rrugët kryesore. Njerëzit duhet të kuptojnë se nëse duan të ecin me makinë në qendër të qytetit, ashtu si çdo vend të botës, kjo kushton”, tha kryetari i Bashkisë.
Veliaj shtoi se të ardhurat e parkimit të sheshi “Italia”, ashtu si edhe të ardhurat nga parkingjet e tjera publike, do të shkojnë në investime për më shumë korsi biçikletash dhe lulishte.
“Lajmi i mirë është se të ardhurat nga parkimi në Tiranë do të investohen në lulishte dhe korsi biçikletash. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë ambientet publike. Për sa kohë që janë gati t’ia paguajnë parkimin dikujt, i cili në mënyrë të paligjshme zapton një copë trotuari, ve një arkë apo një kusi dhe u merr lekët, thuajse në mënyrë të dhunshme, pse jo, t’ia paguajmë këtë qytetit, i cili i kthen këto në investime për banorët e këtij qyteti”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.