Masat antievazion, opozita: Klimë terrori; Qeveria: Janë të nevojshme

Një draft i propozuar nga Qeveria, që amendon Kodin Penal duke ashpërsuar dënimet për evazionin, shkaktoi përplasje të forta në Komisionin e Ekonomisë. Opozita i cilësoi ndryshimet si marrëzi me pasoja të rënda për ekonominë.

“Kjo që po ndodh sot është një turp kombëtar. T’i thuash një shqiptari, se po erdhi me një fishekzjarr nga jashtë do të shkojë të bëjë 7 vite burg po nuk e deklaroi. Çfarë i dini 7 vite burg ju? Tërhiqeni mbrapsht sa nuk është vonë, se kjo është një marrëzi”, tha Florion Mima, deputet demokrat.

Advertisement

Por zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, përfaqësuesja e qeverisë që mbrojti draftin, thotë se ashpërsimi i masave është i domosdoshëm për të luftuar evazionin e lartë në ekonomi.

“Ajo që ne kemi vënë re është se, gjoba është një masë që në kulturën shqiptare e ka humbur efektin. Ata e shtyjnë, shkojnë nëpër gjykata etj, prandaj u panë të arsyueshme këto ndryshime”, thotë Irena Beqiraj.

Masat e reja ashpërsojnë dënimet për kontrabandën, por paralalisht heqin mundësinë e dënimit me gjobë edhe për mosdeklarimin e saktë të të ardhurave, duke e dënuar automatikisht me dy vite burg.

“Kjo do të thotë se fatin për të shkuar në burg në Shqipëri, të paktën e ka gjysma e biznesit që kontrollohet në një vit, diku te 2000-3000 biznese. Bëhet fjalë nga momenti që hyn ky ligj në fuqi”, tha Ridvan Bode, ish-ministër i Financave.

“Kjo është thjesht një mënyrë për të thënë se, në qoftë ju do të vazhdoni të bëni evazion, të mos i bindeni dhe të mos zbatoni ligjet e shtetit, për të gjitha ato biznese ne do të ngrejmë çështje penale”, tha më tej Irena Beqiraj.

“Me këtë lloj klime që po krijoni ju, kujdes këtu se të fusim në burg, e kujdes aty se të fusim sërish në burg. Mos ju vijë çudi, që një pjesë e njerëzve, në vend që t’i nxjerrin nga çorapet paratë e investimit, do t’i mbledhin prapë edhe ato që kanë në bankë sepse mendojnë që këtu nuk ia vlen më të merren me biznes, biznesi në Shqipëri është bërë i rrezikshëm”, tha Dashamir Shehi.

Qeveria ka nisur një fushatë të gjerë kundër informalitetit, e cila përveç aksioneve në terren, po shoqërohet edhe me ashpërsimin e masave ndëshkuese, që lidhen me shkeljet tatimore dhe evazionin.