Nikolla: Drejtësi në rrugën e dijes sipas sistemit meritë-preferencë

Foto Arkiv

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla uroi sot të gjithë studentët që nisin vitin e ri akademik në të gjitha universitetet e vendit.

Gjatë fjalës së mbajtur në ambientet e sallës “Liria”, në Qytetin Studenti ajo vlerësoi rëndësinë e Universitetit të Tiranës, si simbol i identitetit në arsim.

Advertisement

“Universiteti i Tiranës është një universitet që në logon e tij, mban ngjyrën kuq e zi, në kuptimin e universitetit më të madh vend, që shënon pjesën e identitetit në fushën e arsimit të lartë, i arritjeve dhe i brezave të studentëve që sot janë nderi i kombit në fusha të ndryshme të jetës”, nënvizoi Nikolla.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, tha se qeveria shqiptare mbështet të gjithë studentët në rrugën e dijes, duke theksuar këtu edhe ligjin aq shumë të diskutuar për arsimin e lartë, si një risi që sjell më tepër mundësi për liri akademike dhe zgjeron autonominë e universiteteve.

Nikolla i siguroi studentët se do të kenë drejtësi në rrugën e dijes sipas meritë-preferencës, duke shtuar se qeveria dhe strukturat e ministrisë mbështesin kërkimin shkencor dhe kampusin.

“Mbështetja kryesore do të shkojë drejt studentëve të përgjegjshëm që përfundojnë në kohë studimet, do të dekurajojmë papërgjegjshmërinë, përsëritjen e pafundme të çdo fenomeni negativ në arsimin e lartë. Çdo i ri ka vendin e tij në sistemin e arsimit të lartë sipas meritës, preferencës dhe nevojës së tregut. Pedagogët kanë një peshë të jashtëzakonshme në edukimin e të rinjve. Ndaj, nuk mund të ishte kurrsesi ndryshe që ky ligj duhej me patjetër t’i vendoste ata në qendër, duke marrë prej tyre edhe zgjidhjet e mundshme”, tha Nikolla.

Sakaq, ajo shtoi se komunikimi, dëgjimi dhe shikimi në sy i të vërtetave është standardi për çdo mjedis që edukon të ardhmen e kombit. Sot 170 mijë studentë nisin rrugëtimin akademik 2015-2016″, tha Nikolla, ndërsa uroi edhe Kombëtaren shqiptare për fitoren, duke shprehur mirënjohjen për gjithë mbështetjen e qytetarëve kudo janë.