Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, theksoi të premten se operacioni i qeverisë kundër informalitetiti ka nxjerrë në pah aferën e kasave fiskale nën qeverinë Berisha.

Përmes rrjetit social ‘Facebook’, Braçe theksoi se në treg ka mungesë të kasave nga ana e kompanive që janë licensuar për këtë shërbim. Kompanitë, thekson Braçe, posaçërisht kompania që zotëron gati 70% të tregut, nuk i përgjigjen as kontratës me qeverinë e as marrëveshjes me tregtarë e sipërmarrës që duan të blejnë kasë.

Advertisement

Çdo tregtar, sqaron ai, që ka një marrëveshje dhe është në pritje të marrë kasën nga kompania, vijon të tregtojë pa kasë dhe për të nuk ka as kontroll e as masë ligjore për këtë rast. Kjo si masë “lehtësuese” deri në paisjen me kasë. “Kam qenë i pari që kam folur qartë dhe paditur aferën e kasave fiskale nën qeverine Berisha, si një histori tërësisht klienteliste dhe shumë të shtrenjtë. Tani duhet të marre fund!! Ose t’i përgjigjen kontratës, ose të dalin nga ky shërbim!!”, shkruan Braçe.

Kreu i Komisionit të Eknomisë ngren edhe një tjetrë shqetësim, që ka të bëjë me aplikimin në QKR dhe posaçërisht paisja me “numër nipti”, që sipas tij, është një ferr që zgjat gati dy javë.
Arsyeja, sipas tij, është fluksi i jashtëzakonshëm. Por, vijon ai, ka kaluar më shumë se një muaj e gjysëm dhe kapacitetet duhet të ishin shtuar, sepse dhe kërkesa do shtohet edhe më shumë.

“Edhe këtu ka dy probleme. I pari, cilido tregtar e sipërmarrës që ka bërë një aplikim në QKR, vijon aktivitetin dhe në më të shumtën e radhës jashtë kontrollit dhe masave ligjore për një biznes të parregjistruar deri në pritje të numrit të niptit. I dyti, fluksi i kërkesës për t’u paisur me numër nipti do të shtohet, pasi grumbulluesit e përpunuesit e produkteve bujqësore e blegtorale, të futur në regjim fiskal e tashmë me detyrimin për të kompesuar me 20% të vlerës bujqit, kanë detyrimin t’i paisin ata me numër nipti’, shkruan Braçe.