Kryeministri Edi Rama, duke folur paraditen e së martës në Forumin e Biznesit Shqipëri-Itali, ka deklaruar se bota e sipërmarrjes në vendin tonë ka hyrë tashmë në një etapë të re.
“Të eksplorojmë mundësitë me rregulla loje të barabarta për të gjithë dhe të rrëzojmë barrierat e ngritura për vite të tëra”, ka thënë Rama duke ftuar biznesin për bashkëpunim.
Shefi i qeverisë ka theksuar se, situata e trashëguar qeveria e mëparshme me një mal me borxhe të akumuluara ndaj subjekteve private do të marrë fund përfundimisht brenda pak muajsh.
“Lufta ndaj informalitetit është një tjetër proces që nuk do të ndalet. Nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj askujt, ndërkohë që nuk do të ketë penalitete për ata që e deklarojnë mallin”, ka thënë më tej Rama.
Ndikim në zhvillimin e biznesit do të ketë sipas tij edhe reforma në drejtësi, e cila, siç tha ai, “nuk duhet të jetë një tjetër mandat letrash, por duhet të përmbysë korrupsionin”.
Të pranishëm në këtë event, kryeministri Rama ka shtuar më tej se, biznesmenët italianë janë dëshmia e gjallë e suksesit të biznesit në Shqipëri.