Rama viziton SHBA javën e ardhshme, merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e ardhshme. Sipas burimeve nga Kryeministria, kreu i qeverisë pritet të mbajë disa fjalime për tema të ndryshme si ekstremizmi, zhvillimi i qëndrueshëm, barazia gjinore etj.

Zyra e shtypit të Kryeministrisë bën të ditur se, kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë fillimisht në 24 shtator në ‘World Leadership Forum’, në New York, një event i organizuar nga Shoqata për Politikë të Jashtme (Foreign Policy Association). E themeluar në vitin 1918 , Shoqata për Politikë të Jashtme shërben si një katalizator për zhvillimin e njohjes dhe sigurimit  të informacioneve dhe opinioneve për çështjet globale.

Advertisement

Ndërsa të premten, më 25 shtator Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë vit do të jetë e përqëndruear në çështjet e zhvillimit të Qëndrueshëm. Çdo vit, në fund të muajit shtator, Organizata e Kombeve të Bashkuara mbledh Asamblenë e saj të Përgjithshme, ndërsa sivjet do të jetë sesioni i 70-të i saj dhe në të marrin pjesë liderë botërorë nga të gjitha shtetet anëtare. Aty do të flitet kryesisht mbi shqetësimet aktuale botërore, me theks tek siguria e terrorizmi.

Gjithashtu Kryeministri Rama pritet të marrë pjesë në eventin “Impakti i së ardhmës” që do të organizohet në datat 26-29 shtator në New York nga “Fondacioni Klinton”.

Eventi “Impakti i së ardhmës” tashmë është kthyer në traditën e dekadës së fundit, ku udhëheqës të ndryshëm dakordojnë së bashku mbi mënyrën se si do të zgjidhin disa nga sfidat globale.

Organizatorët e këtij takimi të rëndësishëm janë pikërisht familja Clinton, të cilët kanë edhe fondacionin që mban emrin e tyre.

Të gjithë pjesëmarrësit do të nxjerrin në pah pikat ku duhet punuar më shumë, në mënyrë që të sjellin progres në botën ku ne sot jetojmë.

Disa nga sfidat që pritet të diskutohen janë ndryshimi i klimës, barazia gjinore, shëndetësia në rang global dhe nxitja e njerëzve për të bërë më shumë bamirësi.

Pjesë e këtij eventi të rëndësishëm pritet të jetë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Po ashtu, “Fondacioni Clinton” u ka dërguar ftesë edhe disa prej liderëve të tjerë botërorë, si dhe përfaqësueve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Deri më sot, takime të këtij lloji kanë marrë më shumë se 3200 angazhime, të cilat kanë përmirësuar jetën e më shumë se 430 milionë njerëzve në 180 vende të botës. Edhe këtë herë priten mënyra innovative për të hartuar zgjidhje sa më konkrete si edhe efektive.