Qendra Kombëtare e Regjistrimit si dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve arritën një marrëveshje të mërkurën, përmes së cilës u mundësohet biznesit regjistrimi online.
Drejtoresha e QKR-së, Vasilika Vjero si dhe Kryetarja e DHKN-në, Mimoza Sadushi përmes një deklarate për shtyp nga ministria e Ekonomisë vlerësuan këtë bashkëpunim, i cili do të lehtësojë biznesin në të gjithë vendin.
Sipas Vjeros, në të gjithë vendin janë rreth 400 zyra noteriale, ndër të cilat 200 janë në Tiranë, ku edhe fluksi për regjistrim është edhe më i lartë.
Regjistrimi online përmes zyrave noteriale për të gjithë personat fizik do të nisë nga dita e hënë, 21 shtator. Për të bërë këtë aplikim nevojitet një mjet identifikimi, pasaportë biometrike, ose kartë identiteti, adresa e saktë ku do të ushtrohet aktiviteti, si dhe një postë elektronike personale ose e biznesit.
Noterët sipas marrëveshjes së arritur do të asistojnë biznesin deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare nga QKR-ja për mbylljen e aplikimit.
Vjero duke vënë theksin në faktin se regjistrimi online është po aq i vlefshëm sa edhe ai pranë zyrave të QKR-së tha se nga data 1 shtator janë regjistruar 20 % e biznesit në mënyrë elektronike.
Në dy javët e para të muajit shtator, tha Vjero, janë regjistruar 8300 biznese, ndërsa si 9- mujor janë regjistruar 23 mijë biznese, ose 75 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndërsa në periudhën korrik-shtator janë regjistruar 15 mijë biznese.
Ndërkohë, edhe Kryetarja e DHKN-së, Sadushi vlerësoi këtë marrëveshje që sipas saj, sjell lehtësim të procedurave për biznesin. Sadushi tha se regjistrimi online do të ketë kosto minimale për biznesin.