Kosovë – Presidenti Sejdiu anullon vizitën në Maqedoni

Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i presidentit thuhet se vendimi për të anuluar vizitën në Maqedoni është marrë pasi Shkupi nuk do ta presë presidentin Sejdiu me ceremoni shtetërore, ashtu sic do të ndodhte me kreun e cdo shteti, duke e konsideruar këtë thjesht si një takim pune. Një ditë më parë, mediat shqiptare në Shkup transmetuan lajmin se presidenti i Maqedonisë kishte ndryshuar axhendën e pritjes së presidentit të Kosovës, duke vendosur që kjo pritje të bëhet në vilën presidenciale Biljana në Ohër dhe jo në Shkup. Kabineti presidencial sqaroi faktin se më 13 maj 2009, mori ftesë për vizitë zyrtare njëditore nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, z. Gjorge Ivanov. Kjo ftesë, thotë Presidenca, u pranua dhe iu konfirmua palës maqedonase nga Zyra e Presidentit te Republikës së Kosovës më datë 13 maj 2009. “Ndërkohë, meqënëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e anuloi vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj 2009”, – konfirmoi zyra e kryetarit të shtetit më të ri. Një vendim i tillë u kritikua nga mediat në Kosovë, sipas të cilave presidenti i shtetit më të ri, po injorohet sërish nga presidenti i Maqedonisë, Ivanov. Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu ishte një nga homologët e vetëm të rajonit që nuk ishte ftuar në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë, thuhet në qëndrimin zyrtar të Presidencës.

Advertisement