OSHEE forcon kontrollet në bregdetin e Durrësit

Që prej datës 7 gusht, kur OSHEE nisi kontrolle të përforcuara në rajonin e Shkodrës dhe së fundi edhe në Durrës, në tre ditë ka mbledhur 60 mijë dollarë detyrime të prapambetura.
Në rajonin e Durrësit, që përfshin Kavajën, Krujën dhe Shijakun, me rreth 160 mijë abonentë, OSHEE në 6 muaj ka kryer 38 mijë kontrolle dhe iu është ndërprerë energjia elektrike 22 mijë debitorëve. Vetëm në qytetin e Durrësit janë kryer 14 mijë kontrolle, ku gjysma rezultuan debitorë familjarë dhe jo familjarë dhe iu pre energjia elektrike.
Pas analizave të punës për 6-mujorin, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, urdhëroi zhvendosjen e një pjese të punonjësve në zonën e bregdetit në ndihmë të agjencive që menaxhojnë rajonet nga Velipoja në Sarandë.
Aksionet nisën me rajonin e Shkodrës, konkretisht në zonat Velipojë dhe Shëngjin, nga ku OSHEE ushtroi verifikime mbi ligjshmërinë e furnizimit me energji elektrike, ndërsa në tre ditët e fundit një grup pune ka nisur kontrollet edhe në bregdetin e Durrësit.
Albana Ferraj, drejtore e Divizionit Tregtar në OSHEE, pa nga afër koordinimin dhe ndarjen e detyrave në terren, ndërsa deklaroi sot, se në Durrës janë caktuar rreth 25 veta që do jenë pjesë e stafit të drejtorisë rajonale, ndërsa në Shkodër rreth 55 persona, shtesë e personelit, që do të ndihmojnë në mënyrën e organizimit të punës dhe veprimtarisë normale të agjencive dhe drejtorisë me kontrollet e ligjshmërisë me energji elektrike, ripagesës së faturave, problematika që kanë të bëjnë me sistemin e matjes së energjisë.
“Abuzimet më të tipike janë rilidhjet e paligjshme nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike si pasojë e të qenit debitor, por dhe ekzistenca e linjave të dyta”, tha Ferraj sot për mediat.
Aksioni ka nisur në 7 gusht në rajonin e Shkodrës, Lezhë, Shëngjin, Velipojë dhe janë kryer 2600 kontrolle. “Nga kontrollet janë konstatuar abuzime të shumta dhe masa ndëshkuese deri me arrestime, janë arkëtuar rreth 60 mijë usd dhe janë nënshkruar rreth 100 aktëmarrëveshje të pagesës me këste të detyrimit”, shtoi ajo.
Operacioni në Durrës do të vijojë deri në muajin shtator dhe do të zhvendoset në rajonet e tjera bregdetare me personel mbështetës.

Advertisement