Bulqizë, zjarri në pyje djeg rreth 100 hektarë

Disa vatra  të reja zjarri janë shfaqur prej ditësh në Malin e Tërnovës të komunës Zerqan, në rrethin e Bulqizës. Zjarri, i ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era, është përhapur me shpejtësi në të gjithë shpatin e malit, duke përshkuar rreth 100 hektarë pyje. 

Sipas burimeve, zjarri është konstatuar nga banorët e fshatrave të kësaj komune, të cilët kanë lajmëruar dhe autoritetet përkatëse për marrjen e masave. Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm për shuarjen e zjarrit forca të policisë së komisariatit të Bulqizës, po ashtu dhe të zjarrfikëses dhe ata të Policisë Bashkiake të ndihmuar dhe nga banorët e zonës.

Advertisement

Zjarrfikësja e vetme që ka në dispozicion rrethi i Bulqizës e ka patur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë. Sipas policisë lokale të Bulqizës, shuarja e flakëve është e pamundur dhe kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri për shuarjen e tij, pasi zjarri i fuqishëm po i afrohet Liqenit të Zi, ku sipas ekspertëve, zjarri po sjell dëmtime serioze edhe për banorët e fshatrave të komunës Zerqan.

Ndërkohë, Policia e Bulqizës ka nisur hetimet dhe dyshohet të jetë zjarrvënie e qëllimshme, por nuk përjashtohet rasti dhe pakujdesia e ndonjë bariu që kullot bagëtinë në këtë territor. Policia dhe Shërbimi Pyjor i rrethit të Bulqizës i bëjnë thirrje banorëve të kenë kujdes që të mos përdorin lëndë ndezëse në këto zona, pasi një pakujdesi e vogël e tyre mund të bëhet shkak për zjarrvënie.