Iran – Presidenti zhvillon bisedime me homologët e Afganistanit dhe Pakistanit

Qëllimi i këtij takimi është ngritja e një mekanizmi konsultimesh të rregullta në nivel të lartë mes qeverive të vendeve islamike. Gjithashtu presidentët do të diskutojnë mbi një plan për hedhjen e bazave për një bashkëpunim rajonal në sektorin e agrikulturës, tregëtisë, shëndetësisë dhe energjisë. Samiti njëditor, pjesë e përpjekjeve për konsolidimin e bashkëpunimit midis tre vendeve fqinje, përkon me një ofensivë që ushtria pakistaneze ka ndërmarrë këtë muaj për frenimin e përhapjes së rebelimit taleban në pjesën veriperëndimore të vendit. Afganistani, ku aktet e dhunës janë shtuar në mënyrë dramatike gjatë dy viteve të fundit pavarësisht rritjes së numrit të trupave ushtarake amerikane dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë, gjithashtu po lufton kundër militantëve islamikë talebanë. Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad priti homologët e tij të Pakistanit dhe Afganistanit, përkatësisht Asif Ali Zardari dhe Hamid Karzai, në takimin që zhvillohet në pjesën veriore të Teheranit.

Advertisement