Vendimi pritet të konkretizohet nga drejtoria përkatëse dhe në ditët në vijim do të bëhet publike menjëherë pas rregullimit të listave shumë emërore nga subjektet politike, si dhe vendimit përfundimtar për modelin e fletës së votimit nga ana e anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Nga regjistrimi i subjekteve politike në këtë institucion, rezultoi se numri i partive politike është më i madh nga çfarë ishte parashikuar në modelin fillestar të fletës së votimit. Për këtë çështje KQZ nuk ka marrë ende një vendim, por bashkë me miratimin e listës përfundimtare të kandidatëve do të zgjidhet edhe ky ngërç për të nisur procesi i prodhimit të fletëve të votimit. Burime nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve konfirmuan se “Cetis” është kompania e përzgjedhur nga Drejtoria e Prokurimeve brënda këtij institucioni, pasi në këtë formë gjen terren edhe kërkesa e PS që fletët të prodhohen jashtë vendit. “Cetis” ka konkurruar edhe për zgjedhjet e përgjithshme të 2005, por në atë kohë KQZ vendosi që t’i japë këtë të drejtë kompanisë “Ilar”, e cila prodhoi fletët e votimit për herë të parë në Shqipëri.