Kosovë – Petersen, Biden përcaktoi vijën e sjelljes së Serbisë me Kosovën

Në një intervistë, Jessen Petersen tha se Biden ka lënë të kuptohet se pret nga Serbia që të ndalojë minimin e pavarësisë së Kosovës. Ish-shefi i UNMIK-ut, tha se qëndrimi i administratës së re amerikane bazohet në pranimin se vende të ndryshme kanë interesa legjitime. Sipas tij, administrata e Obamës e pranon se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, se ato qëndrojnë fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës. Ai tha se udhëheqja e Kosovës ka punuar shumë për t’ju ofuar serbëve të Kosovës, por ajo nuk ka qenë e ndihmuar nga Beogradi zyrtar, i cili për momentin, ka thënë Jessen-Petersen, nuk duket të jetë i interesuar që serbët e Kosovës të jenë vërtetë pjesë e Kosovës. “Mendoj se direktiva e Bidenit në turin e Ballkanit, është në përputhje të plotë me vijat politike që administrata e Obamas po ndërmerr gjithandej botës, në këta tre katër muajt e parë. Dhe kjo vijë është e kundërta e tetë vjetëve të Bushit, sepse administrata e Obamas e pranon se edhe vendet e tjera kanë interesa legjitime. Ata e bënë të qartë këtë në bisedimet me Kinën, Rusinë dhe më të tjerët. Në rastin në fjalë, mendoj se ishte shumë i qartë se SHBA-ja dëshiron që të rivendos marrëdhënie më të mira me Serbinë. Ata e pranojnë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër Serbia duhet ta pranojë se SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës, se ajo është e pakthyeshme dhe se për SHBA-në nuk ka çka të diskutohet më rreth kësaj çështjeje. Por ai gjithashtu ka shtuar, ashtu si e kam parë në media, se Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, e në këtë rast duhet të ndalojë çdo gjë, që unë do ta quaja, minim të pavarësisë së Kosovës. Prandaj mendoj se porosia që ai ka përçuar në Beograd ishte shumë e qartë”, mësohet të jetë shprehur Pettersen.

Advertisement