Mbrëmë u shqyrtua dokumentacioni shoqërues i listave të kandidatëve për deputetë të 8, nga 36 subjekte që do garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Me 7 vota pro, ky institucion regjistroi në këtë garë vetëm Partinë e Gjelbër, listat e së cilës, për 12 qarqet rezultuan në rregull. Po me 7 vota, KQZ-ja ktheu mbrapsht ndërkohë, listat e Partisë Agrare, Aleancës Kombëtare, Partisë së Punës, Ballit Kombëtar, Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Bashkimit Liberal-Demokrat dhe Demokracisë Sociale, që rezultuan me mangësi në dokumentacion. Me propozimin e kreut të KQZ-së, Arben Ristani KQZ votoi dje në mbrëmje me 4 vota pro dhe 3 kundër, që të miratojë listat kandidatëve për deputetë të partive politike që nuk e plotësojnë kuotën e 30%, por që i afrohen kësaj kuote. E thënë ndryshe, kjo do të thotë se një listë që plotëson kuotën e femrave me 25% apo 27.8%, të miratohet. Debate ka pasur mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve juridikë të subjekteve zgjedhore. Përfaqësuesi juridik i Partisë Socialiste braktisi mbledhjen e djeshme, pas disa replikave me kreun e KQZ-së, Arben Ristani, lidhur me procedurat që duhet të ndjekë KQZ-ja në shqyrtimin dhe miratimin e listës shumemërore.