Ministria e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e Komisionit Evropian zhvilloi sot një tryezë diskutimi mbi Ligjin e ri te Arsimit te Larte dhe Kerkimit Shkencor.
Në tryezën e diskutimit ishtë i pranishëm Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij se, “ky ligj ka në bazë parimin e financimit të insititucioneve arsimore në bazë të performancës, duke mos I ndarë instiucionet pubike të nënës dhe institucionet private të njerkës”.
Ky tha Rama, “është një proces që ndoshta është procesi më i mirorganizuar dhe më gjithëpërfshirës që qeveria shqiptare deri sot ka organizuar në funksion të një reforme. Kjo është një reformë që përbën një hap të guximshëm përpara dhe bën një ndarje të prerë me të shkuarën, duke vënë një vijë të qartë ndarëse, me atë që është sot arsimi ynë i lartë”.
Sipas kreut ë qeverisë, ky ligj do të shërbejë, “për të përmirësuar jo vetëm kushtet me të cilat gjeneratat e reja do të marrin dijet në arsimin tonë të lartë, por edhe për të prodhuar një gjeneratë krejt të re shqiptarësh të arsimuar në vendin tonë”.
“Ky është një ligj që niset me një parim të thjeshtë dhe të qartë, që e kemi vendosur në qasjen e reformës tonë. Ky parim i thjeshtë është se nuk mund të ketë arsim shtetëror të nënës dhe arsim privat të njerkës. Pa dyshim që ne kemi besuar dhe besojmë edhe më fort sot që ky është një parim që vendos në themelin e reformës dhe arsimit të lartë domosdoshmërinë për të mos bërë kompromis”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “e gjithë historia e Arsimit të Lartë pas ndryshimeve të mëdha politike dhe demokratike ka qenë një histori në dëm të cilësisë. Dhe kësaj historie duhet t’i japim fund në mënyrë të prerë, duke vendosur në bazë të financimit të arsimit të lartë, performancën. Pra, jo financim pavarësisht asaj që marrim si produkt, por financim nëse produkti është cilësor”.
Sipas Kryeministrit Rama, “ky është një investim, për të cilin shoqëria ka të drejtë të kërkojë që t’i kthehet mbrapsht me produkt cilësor. Nuk është një investim që mund të vijojë siç ka vijuar për vite të tëra, jep paratë dhe se çfarë produkti vjen mbrapa nuk ka rëndësi”.
Kjo qasje, nënvizoi Kryeministri Rama, “bën edhe përmbysjen e raporteve, pasi ky ligj do t’i shtyjë institucionet arsimore publike të modernizohen, të kenë më shumë lidhje ndërkombëtare. Dhe ky ligj do të zgjidhë vit pas viti dëmet e mëdha që i janë bërë këtij sistemi vit pas viti”.