Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila kishte vërejtje për procesin zgjedhor në Bashkinë e Vorës.

Votat në KQZ u ndanë 3 me 3. Tre anëtarët e mazhorancës votuan pro kërkesës, ndërkohë që tre të opozitës e kundërshtuan atë. Vota e kryetares, Lefterie Luzi përcaktoi fatin e kërkesës së LSI-së.

Advertisement

“Të lihet në fuqi vendimi i KZAZ-së në Vorë. Nuk mendoj që këto prova mund të çojnë në shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve”, deklaroi kryetarja Luzi.

Ky vendim i KQZ-së lë në fuqi atë të marrë më herët nga KZAZ e Vorës, e cila shpalli fitues kandidatin e opozitës për këtë bashki, Fiqiri Ismailin.

LSI kërkonte shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në 18 qendra votimi, me pretendimin se në këto qendra lista zgjedhore ka qenë e manipuluar. LSI thotë se të paktën 600 personave janë regjistruar si zgjedhës prej vitit 2013 deri në prag të zgjedhjeve të 2015-s.

Beteja elektorale për Bashkinë e Vorës mes kandidatit të opozitës, Fiqiri Ismaili dhe atij të mazhorancës të dalë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Luan Sallaku, ishte ndër më të ashprat. Ismaili fitoi me 258 vota më shumë se rivali i LSI-së në garë.

Ndërkohë, pavarësisht vendimit të KQZ-së, çështja e votuesve në Vorë, Durrës dhe Kavajë është duke u hetuar edhe nga Prokuroria.